Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, ka deklaruar se njohja e Kosovës nuk është çështje e Kombeve të Bashkuara, por e shteteve sovrane. Gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moon, në New York, Turk ka thënë se me këtë rast duhet të respektohet praktika dhe e drejta ndërkombëtare, njofton agjencia sllovene STA.
Turk, gjatë takimit të mbrëmshëm me Ki-Moonin, ka thënë se çështja e Kosovës, ishte që një kohë të gjatë në rend të ditës në KB dhe se tash ka ardhur faza e re ku për njohjen (e Kosovës), duhet të vendosin vetë shtetet sovrane.
Ai ka shtuar se edhe për organizatën botërore do të ketë punë lidhur me Kosovën. “Kur të fillojë deklarimi i shteteve sovrane, Kombet e Bashkuara do të jenë ‘sërish në lojë’”, ka thënë ai.
Turk po ashtu ka thënë se organizata botërore do të jetë e përfshirë në çështjet siç janë; prania e misionit ndërkombëtar dhe realizimi i ndryshimeve të planifikuara në këtë fushë.
Duke u përgjigjur në pyetjen se kur do të ishte koha më e përshtatshme për Slloveninë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, Turk nuk ka dhënë përgjigje të saktë, por ka shtuar se - “nuk sheh arsye që Sllovenia të jetë në krye”.