E kujt është Kosova? Kush është pronar i këtij vendi? Kujt i takon? Mungesa e përkufizimit të pronësisë, sikurse në të gjitha rastet e mundshme, shkakton probleme edhe me rregullimin e vendit edhe me drejtimin e njerëzve që jetojnë në të, pra, të shoqërisë së Kosovës.
Në parim, njeriu që nuk e do vendin ku jeton është shkaktar problemesh. Duket që në Kosovë jetojnë afro 2 milion shqiptarë që nuk e donë Kosovën andaj nuk e respektojnë vendin ku jetojnë, vendin ku shkelin për çdo ditë. Në fakt, duket që në Kosovë jetojnë afro 2 milion kosovarë ose shqiptarë që as që mendojnë për vendin, pra, tokën ku shkelin, ku jetojnë. Ka shumë faktorë për këtë gjendje, për këtë trajtim.
Si shembull, Dokumenti ose Pakoja e Ahtisarit është dëshmi dhe rezultat i kësaj mungese. Në mungesë të marrëdhënies ose ndërlidhjes vertikale shqiptar-tokë, është vënë në përdorim marrëdhënia horizontale shqiptar-joshqiptar, konkretisht, serb. Kjo është marrëdhënia që trajtohet në Pakon e Ahtisarit. Lexojeni duke përdorur këtë mendësi në mënyrë që ta kuptoni.
Dikush mund të provoj të argumentoj që lufta në Kosovë më 1999 është njëra nga dëshmitë konkrete të atdhedashurisë dhe patriotizmit shqiptarë ndaj vendit të tyre, Kosovës. Tashti, kjo nuk është e sigurt sepse pas këtij viti, mungesa e dashurisë, pra, e patriotizmit shihet çdokund e gjithkah si dhe hetohet e vërehet në çdo moment në Kosovë ndër shqiptarë. Mashtrimet, urrejtja patologjike/e sëmurë ndaj njëri-tjetrit, shkelja dhe keqpërdorimi i ligjit, mungesa e moralit familjar, mungesa e përgjegjësisë individuale dhe kolektive, mungesa e respektimit të vetvetes dhe e të tjerëve, gllabërimi i pasurisë si publike si të tjetërkujt, si dhe shumë të tjera të ngjashme të mbështjella me korrupsion, janë tregues konkret që shqiptarët vetëm e shfrytëzojnë/përdorin Kosovën si vendbanim klasik dhe asgjë më shumë, ku secili kujdeset ekskluzivisht vetëm për vetveten.
Në anën tjetër, serbët kanë dëshmuar me miliona herë të kundërtën. Përveç që janë të gatshëm të vdesin për vendin ku jetojnë, pra, Kosovën, ata e kanë dëshmuar që e respektojnë rendin dhe rregullin shoqëror, respektojnë vetveten dhe të tjerët, që nuk mashtrojnë, që nuk kanë urrejtje patologjike/të sëmurë ndaj njëri-tjetrit, që janë të gatshëm të heqin dorë nga krijesa mediale e quajtur Bashkimi Evropian (BE) si dhe shumë të tjera.
Edhe një herë, Pakoja e Ahtisarit nuk njeh pronar ose zot shtëpie por bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe serbëve, pra, ku njëri vendoset në njërën anë ndërsa tjetri në anën tjetër. Pakoja e Ahtisarit nuk e trajton çështjen e pronësisë së Kosovës, e as që merret me të sepse shqiptarët e Kosovës, edhe një herë, nuk e duan tokën e Kosovës. Shkurt e shqip. Në mungesë të kësaj dashurie, pronësia i bartet tjetërkujt, pra, fillimisht Organizatës së Kombeve të Bashkuara përmes UNMIK-ut ndërsa tashti Bashkimit Evropian përmes EUMIK-ut. Të dyja këto organizime janë të vëmendshme që as këto nuk janë e as që do të jenë ndonjëherë pronar të kësaj toke, të këtij vendi, andaj, sikurse Bosnjën dhe Hercegovinën, edhe Kosovën e kanë shndërruar në një vend të “pastrimit të parave” për organizime të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore.
Së fundi, ka mundësi që Kosova si tokë të mos jetë e nëmur/mallkuar por njerëzit që jetojnë në të, pra, shqiptarët-kosovarë, gjithsesi që janë. Pasuritë nëntokësore pritet të dalin në shesh/sipërfaqe shumë shpejt por ato do t’i shfrytëzoj dhe përdor tjetërkush ndërsa neve do të na mbetet verbëria dhe kanceri.