Dua t'ju falënderoj sinqerisht që më dhatë mundësinë që të artikuloj këtu para jush zërin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo asamble e nderuar ka qenë vendi ku janë marrë vendime të mëdha, që kanë ndikuar në stabilitetin dhe zhvillimin botëror, përfshirë edhe vendimet lidhur me ndarjen tragjike dhe të dhunshme të Jugosllavisë.
Kanë kaluar tetë vite qëkur Këshilli i Sigurimit vendosi Kosovën nën administrimin tranzicional të Kombeve të Bashkuara. Në emrin tim, dhe në emër qytetarëve të Kosovës, të gjithë qytetarëve, nga të gjitha grupet etnike, dua t'ju falënderoj për ndihmën e vazhdueshme që u keni dhënë institucioneve të Kosovës dhe procesit të ndërtimit të demokracisë në shoqërinë tonë. Ne dolëm nga një luftë e gjatë dhe e tmerrshme, dhe falë jush, ne kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërtimit të një shoqërie më stabile, më demokratike dhe multietnike.
Në veçanti, dua të falënderoj z. Joakim Ryker dhe të gjithë zyrtarët e UNMIK-ut të cilët kanë punuar me ne tani e më shumë se tetë vjet. Ne, së bashku jemi ballafaquar me shumë vështirësi dhe pengesa, por kemi arritur edhe suksese të përbashkëta.
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën dokumenton progresin real që kemi arritur dhe punët që mbesin për t'u bërë. Zhvillimet demokratike në Kosovë bënë edhe një hap përpara vitin që lamë pas. Ne patëm zgjedhje të lira dhe multietnike dhe një transferim paqësor të autoritetit. Në fakt, që nga viti 1999, ne kemi mbajtur pesë palë zgjedhje të lira dhe demokratike, zgjedhje këto model për rajonin. Kemi ndërtuar institucione demokratike, profesionale dhe shumë etnike. Në këtë rrugëtim ne kemi pasur mbështetjen e vazhdueshme të UNMIK-ut dhe institucioneve tjera të respektuara ndërkombëtare, si: BE-së, OSBE-së, NATO-s, etj, dhe në emër të qytetarëve të Kosovës dua t'ju shprehë mirënjohjen time të thellë.
Natyrisht, që në zhvillimin dhe operacionalizimin e institucioneve tona, ne jemi ballafaquar me shumë sfida. Siç raportoi edhe Sekretari i Përgjithshëm, mbetet ende shumë punë për t'u bërë në mbrojtjen e të drejtave, kulturës dhe sigurimin e minoriteteve etnike. Fatkeqësisht, lufta e fundit në Kosovë la prapa një trashëgimi mosbesimi dhe jotolerancë etnike. Si pjesëtar i shumicës në Kosovë, unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë e veçantë që kemi ne si shqiptarë të Kosovës në tejkalimin e kësaj trashëgimie dhe në krijimin e një ambienti ku secili qytetar i Kosovës do të ndihej i mirëseardhur.
Në ditët e mia të para si kryeministër, unë kam ndërmarrë hapa drejt afrimit me komunitetet joshqiptare. Me mburrje them para jush se unë tashmë kam emëruar dy bashkëqytetarë të mi serbë dhe një turk si ministra në qeverinë time. Unë kam vendosur që, në kuadër të zyrës sime, të hapë një zyrë të veçantë për komunitetet, me përgjegjësi të veçantë për çështjen e pronave. Unë jam i përkushtuar që të gjejë mënyra të reja komunikimi me qytetarët serbë dhe komunitetet tjera. Minoritarët në Kosovë nuk janë barrë, apo rast i veçantë në shoqërinë tonë; ata janë pjesë e zemrës së shoqërisë sonë, dhe prezenca e tyre mes nesh e rritë dhe pasuron shoqërinë, kulturën dhe vendin tonë.
Integrimi i të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë tonë dhe në jetën tonë politike ka qenë i vështirë dhe është ballafaquar me shumë sfida të veçanta. Për shembull, është për të ardhur keq vendimi i Beogradit për inkurajimin e serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Ne besojmë që të gjithë qytetarët mund të avokojnë interesat e tyre në kuadër të institucioneve, që i kemi ndërtuar me udhëzimet e Kombeve të Bashkuara.
Sidoqoftë, ne jemi të vetëdijshëm që integrimi i plotë i komuniteteve joshqiptare në shoqërinë tonë kërkon më shumë se vetëm fjalë të mira për pajtimin. Edhe qeveria ime, edhe qeveria e paraardhësit tim, kanë treguar përkushtimin dhe zotimin e tyre në përmirësimin real dhe konkret të jetës së përditshme të minoriteteve tona.
Më lejoni t'ju jap ca shembuj. Tani ne kemi rritur intensitetin e punës në respektimin e të drejtave pronësore të të gjithë qytetarëve tanë, përfshirë këtu shtyrjen e padive në rastet e pronave të uzurpuara. Ne ofrojmë qasje të shërbimeve tona qeveritare në shumë gjuhë. Ne po synojmë që të mbajmë përfshirjen e lartë të minoriteteve në Shërbimin Policor të Kosovës. Ne po mbrojmë trashëgiminë kulturore dhe fetare të komuniteteve joshqiptare, përmes krijimit të zonave të mbrojtura përreth objekteve fetare, dhe përmes riparimit të dëmeve që u janë bërë kishave. Ne po vazhdojmë përndjekjen e pakompromis ndaj atyre që kanë kryer krime etnike. Ne po financojmë projekte që facilitojnë kthimin e personave të zhvendosur dhe po mundohemi që ta themi sa më qartë dhe sa më zëshëm që minoritetet kanë jetë dhe të ardhme në Kosovë. Dhe në fund, ne po përgatisim një plan për decentralizimin e pushtetit lokal, përfshirë këtu krijimin e komunave të reja dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të komuniteteve.
Ju lutem mos e nënvlerësoni madhësinë e këtyre sfidave, posaçërisht kaq shpejt pas një lufte të tmerrshme, e cila ndau dhe i vuri etnitetet tona kundër njëra tjetrës. Sidoqoftë, unë zotohem sot para jush, se Qeveria e Kosovës do të përfaqësojë të gjithë qytetarët e saj. Unë zotohem para jush se do të punoj me përkushtimin dhe vendosmërinë më të madhe për përfshirjen e komuniteteve joshqiptare në shoqërinë dhe institucionet tona. Unë zotohem se do ta bëjmë Kosovën një vend të dëshirueshëm për të jetuar, duke ndërmarrë veprime afirmative për pakicat tona, posaçërisht për komunitetin serb.
Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, qofshin ata shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq apo romë. Unë zotohem se do të punoj pareshtur që komunitetet pakicë të kenë të drejta të barabarta me ligj, mundësi të barabarta në shoqërinë tonë, dhe vëmendjen e posaçme të qeverisë sime. Unë do të punoj që të kemi raporte të mira fqinjësore me Serbinë, vend ky me të cilin duhet të mësohemi të zhvillojmë mënyra më të mira të komunikimit dhe bashkëpunimit në fushat e interesave të përbashkëta.
Shkelqësi të nderuara,
Ne tani e dimë që paqja e vërtetë nuk është vetëm mungesa e konfliktit, por ngadhënjimi i lirisë dhe vlerave demokratike. Kombet e Bashkuara mund të krenohen me Kosovën.
Ne tani kërkojmë të shkojmë një hap më tutje në zhvillimin tonë politik dhe shoqëror, duke marrë më shumë pronësi mbi të ardhmen tonë. Ne riafirmojmë dëshirën tonë që të ecim përpara bazuar në planin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Kosovën Presidentit Marti Ahtisari. Plani i tij na ofron mundësi që ta bëjmë Kosovën vend më demokratik, një shoqëri multietnike të integruar plotësisht në strukturat evropiane.
Rekomandimi i tij për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën njeh faktin që shpërbërja tragjike, e dhunshme dhe jo konsensuale e Jugosllavisë në njërën anë, dhe në anën tjetër spastrimi etnik dhe periudha e administrimit ndërkombëtar e kanë pamundësuar që Kosova dhe Serbia të jetojnë në një shtet. Dokumenti i Ahtisarit ofron edhe një plan të detajuar për garantimin e sigurisë dhe të drejtave të minoriteteve në Kosovë, plan të cilin ne jemi të zotuar që ta implementojmë plotësisht.
Me respektin për z. Tadiq, dy vjetët e fundit të përshkuara nga dështimet e njëpasnjëshme të negociatave konfirmojnë që Serbia dhe Kosova nuk do të mund të pajtohen kurrë për një bashkim mes tyre.
Në emër të popullit të Kosovës, dua të shpreh mirënjohjen time për Bashkimin Evropian në përkushtimin e tyre për të luajtur rol ndihmues, posaçërisht në zhvillimin dhe ndërtimin e policisë dhe në fushën e sistemit të drejtësisë, në fazat fillestare të sovranitetit të Kosovës. Së bashku me misionin e ri ndërkombëtar në Prishtinë, ne do të ndërtojmë një shoqëri ku të drejtat e komuniteteve pakicë janë jo vetëm të garantuara me akte ligjore, por janë zotim në të gjitha veprimet e qeverisë dhe shoqërisë. Ne po ashtu mirëpresim zotimin e NATO-s për ta vazhduar misionin e tyre në ofrimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.
I nderuari President,
Shkelqësi te nderuara,
Ne besojmë që ka ardhur koha të zgjidhim problemin e fundit të madh të mbetur nga shpërbërja e Jugosllavisë. Unë e kuptoj që jo të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit mbështesin implementimin e rekomandimeve të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin , z.Ahtisari, në veçanti jam i vetëdijshëm për rezistencën ndaj rekomandimin për pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, unë besoj që pavarësisht nga zhvillimet në fushën e definimit të statusit politik, të gjithë anëtarët e Këshillit do të mbështesin punën tonë në konsolidimin e demokracisë, në promovimin e multietnicitetit dhe në ndërtimin e një rajoni më të përparuar dhe më të sigurt për të gjithë.
Unë jam këtu jo vetëm për të folur, por edhe për të dëgjuar.
Faleminderit sinqerisht për vëmendjen tuaj