Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, gjatë takimit që do ta zhvillojë të premten me presidentin amerikan, George Bush, ndër të tjera do të diskutojë edhe për Kosovën, ka bërë të ditur zëdhënësja e KB-së, Michele Montas.
Sekretari Ki-Moon, siç bën të ditur RTK, do të takojë edhe shefen e diplomacisë amerikane, sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice. Këtë takim e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, të hënën në një konferencë për media.
“Presidenti mezi pret takimin me sekretarin e përgjithshëm Ban për të biseduar për çështje të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara, e ndër to përfshirë të drejtat e njeriut, antiterrorizmin dhe paqen e sigurinë ndërkombëtare”, ka thënë Perino.
"Ne presim qe presidenti dhe sekretari i përgjithshëm të shqyrtojnë edhe situatën në Kosovë, në Burma, Sudan, Iran, Liban, dhe Keni, si dhe në Timorin Lindor, si dhe mbështetjen ndërkombëtare për Irakun dhe Afganistanin", ka thënë zëdhënësja Perino.