Kryeparlamentari Jakup Krasniqi shprehi sot gatishmërinë e institucioneve vendore për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të mileniumit të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara. Krasniqi nënshkroi sot marrëveshjen me programin për Zhvillimin të OKB-së, përmes së cilës Kuvendi i Kosovës merr përsipër përmbushjen e një pjese të obligimeve që dalin nga deklarata e Mileniumit.
Parlamenti i Kosovës u shpreh i gatshëm që të përfshihet në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit, të përcaktuara nga Organizata Botërore.
Marrëveshja u nënshkrua sot nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe përfaqësuesit e programit për zhvillim të OKB-së: Kori Udovicki, asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Kathleen Cravero drejtoreshë e byrosë së UNDP-së për parandalimin e krizave dhe rimëkëmbje.
Krasniqi tha se shpreson që Kosova të jetë shteti i 191-të në realizimin e objektivave të mijëvjeçarit.
Nënshkrimi i marrëveshjes u vlerësua i rëndësishëm edhe nga udhëheqësi i UNDP-së në Kosovë Frod Mauring.
Objektivat e Mijëvjeçarit, të përcaktuara në vitin 2000, janë bërë pjesë e zhvillimit të vendeve anëtare të OKB-së. Deklarata e Mijëvjeçarit përveç tjerash parasheh zhdukjen e varfërisë ekstreme, realizimin e të drejtës elementare për arsim fillor, nxitjen e barazisë gjinore, luftën kundër AID-sit etj.
Marrëveshja e nënshkruar sot në Prishtinë, parasheh që UNDP-ja të ofrojë ndihmë për institucionet vendore në përmbushjen e këtyre objektivave edhe në Kosovë.