- Shkrim autorial i botuar në Wall Street Journal -
Kosova është në prag të historisë. Pavarësia është para nesh. Unë pres që Parlamenti i Kosovës ta shpallë atë në ditët e ardhshme. Ky do të jetë proces i bashkërenduar ngushtë me miqtë tanë, në veçanti me partnerët tanë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prishtina dhe Beogradi kanë kaluar një periudhë të vështirë të negociatave intensive. Por kompromisi për çështjen më të ndjeshme, atë të pavarësisë së Kosovës, është i pamundur.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e shohin këtë çështje njësoj. Javën e kaluar isha në Nju Jork ku e përsërita përkushtimin e Kosovës për procesin ndërkombëtar dhe dëshirën tonë të fuqishme për të punuar me miqtë tanë për të krijuar kushtet për pavarësinë e Kosovës, e cila në fund do të ndihmojë në forcimin e sigurisë rajonale dhe atë të Evropës. Kosova e pavarur duhet të jetë doemos një proces pozitiv.
Ka të tillë të cilët janë të bindur se negociatat duhet të vazhdojnë. Ata janë në pakicë. Tani është koha për të kaluar në fazën tjetër për t’i mundësuar Kosovës, Serbisë dhe rajonit që ta përqafojnë dhe përqendrohen plotësisht në procesin e integrimit evropian.
Në kohën kur fqinjët tanë po rrisin bashkëpunimin e tyre me BE-në dhe po i përmirësojnë standardet e tyre ekonomike, Kosova ka mbetur e ngujuar në pritje. Jam i bindur se nuk kemi më kohë për të biseduar dhe gjithashtu mendoj se ka një mirëkuptim të gjerë në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore të BE-së se Kosova është projekt evropian i cili duhet të zhvillohet. Presidenca sllovene e BE-së do të ndihmojë në këtë fazë që Evropa të dërgojë muajin e ardhshëm një mision policor dhe të drejtësisë në Kosovë dhe të marrë përsipër Zyrën Civile Ndërkombëtare për të lehtësuar tranzicionin e pushtetit te vendorët. Populli i Kosovës përkrah fuqimisht të ardhmen e integrimit evropian të Kosovës.
Qeveria ime e ka përcaktuar anëtarësimin në BE si prioritet të lartë pas pavarësisë. Kosova nuk mund t’ia dalë mbanë pa u integruar plotësisht në BE. Kjo është fare e qartë për ne. Unë jam i vendosur që Kosova ta gjejë vendin e vet në Evropë. Kjo nënkupton që të ndërtojmë një partneritet të vërtetë me BE-në.
Unë gjithashtu e kuptoj që ka të tillë që dyshojnë në qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës. Kjo është e pabazë. Kosova është një sistem politik dhe ekonomik në tranzicion. Fillimi ynë ishte nën mesataren e rajonit. Por Kosova ka një popullatë të re dhe ndërmarrëse. Niveli i shkathtësive po rritet me zbatimin e programeve të reja arsimore. Gjithashtu edhe institucionet janë përmirësuar në vitet e fundit me ndihmën e OKB-së, BE-së, SHBA-së dhe të tjerëve. Kosova ka resurse të thëngjillit rreth të cilit mund ta ndërtojmë ekonominë tonë.
Kosova ka ndërtuar raporte të mira me vendet fqinje, në veçanti me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Unë jam i interesuar që të ndërtojmë raporte të qëndrueshme edhe me Beogradin në të ardhmen e afërt, mirëpo raporte në baza të barabarta. Do të jetë më lehtë që Prishtina dhe Beogradi të bashkëpunojnë posa ta ndiejmë që pavarësia jonë është e siguruar. Sa i përket pakicës serbe, Kosova është shtëpi e tyre. Ata duhet të kenë mundësi të jetojnë këtu në paqe dhe prosperitet. Të drejtat e tyre duhet të mbrohen ashtu siç janë përcaktuar në planin për pavarësinë e mbikëqyrur nga BE, të hartuar nga i dërguari i OKB-së Martti Ahtisaari, të cilin Parlamenti i Kosovës do ta miratojë me ligje. Kushtetuta jonë në shumë pjesë të saj do të pasqyrojë konkluzionet e Ahtisaarit. Unë mund të siguroj që qeveria ime nuk do të tolerojë asnjë diskriminim ndaj serbëve të Kosovës. Përkundrazi, ne synojmë që të mbajmë një atmosferë pozitive të tolerancës dhe bashkëpunimit. Copëtimi i Kosovës nuk është opsion. Ne do të kujdesemi që të gjitha komunitetet ta pranojnë Kosovën si atdheun e tyre.
Prishtina është e gatshme ta kthejnë një faqe të re. OKB-ja ka bërë një punë për t’u lavdëruar duke na ndihmuar deri këtu. Prania e saj në Kosovë na ka mundësuar t’i ndërtojmë institucionet, mbi të cilat e mbështesim pavarësinë tonë. Tash e tutje na duhet BE-ja. Na duhet ekspertiza dhe asistenca evropiane për të na ndihmuar që të transformojmë vendin tonë te ri në një shtet anëtar të Evropës.
Serbia, besoj, ka synime të njëjta. Për këtë arsye, unë mbështes anëtarësimin e Serbisë si dhe përpjekjet e Evropës për t’ia zgjatur dorën Serbisë. Kushti im i vetëm është që Kosova nuk është në shitje. Pavarësia është synim kolektiv. Evropa dhe Kosova po ecin drejt një caku të njëjtë. Prioriteti im është që t’i bëjmë hapat tonë të ardhshëm me Brukselin në frymën e partneritetit të vërtetë.
Kosova është e vendosur që të fitojë pavarësinë e vet. Por caku ynë është integrimi në BE dhe në strukturat euroatlantike.
(Autori është kryeministër i Kosovës)