Pas shumë e shumë përpjekjesh e “përpjekjesh”, Kosova sipas të gjitha gjasave shumë shpejt edhe do ta fitojë statusin e shtetit të pavarur. Edhe pse vërtet fraza të tilla si: “Pavarësia e Kosovës është çështje javësh”, “pavarësia është çështje ditësh”, “pavarësia është çështje orësh”, janë bërë monotone (një ditë do të na thonë se, pavarësia e Kosovës do të vijë atëherë kur të ketë pjellë Zorica në Beograd!), megjithatë duket se vërtetë Kosova po numëron ditët e fundit para Deklaratës së pavarësisë, e cila në njërën apo në tjetrën mënyrë, Kosovës do t’ia japë statusin e shtetit të pavarur.
Të ngazëllyer nga dëshira që një ditë edhe qytetarët e këtij territori të pushtuar me shekuj, të marrin statusin e shtetasit të Kosovës, të krijohet përshtypja sikur çdo gjë para nesh shfaqet kolor, sikur çdo gjë përreth nesh premton siguri, mirëqenie, stabilitet social e politik, etj, etj. Po, a do të jetë në të vërtetë kështu?
Kosovën pas mëvetësisë së saj e presin sfida të mëdha, sfida nëpër të cilat mbase edhe nuk kaluan ta zëmë ish-republikat socialiste të ish-Jugosllavisë, tashmë shtete të pavarura.
Kosova përveç që është rast unik në kontekstin e gjeopolitikës ndërkombëtare, unikatësia e këtij vendi qëndron edhe në faktin se, Kosova edhe në planin ekonomik qëndron në një rreth vicioz në krahasim me ish-republikat Jugosllave, të cilat në dy dekadat e fundit kanë marrë statusin e shteteve të pavarura.
Sllovenia është kryesuese e radhës së Bashkimit Europian - sa ia kam lakmi. Athua kur do ta bëjë këtë Kosova?! Shqipëria nuk ka arritur të futet në këtë aleancë të madhe të Evropës as edhe pas kaq vitesh të pluralizmit politik. Klima politike në Shqipëri është e ngjashme me atë në Kosovë, prandaj edhe nuk jemi shumë optimistë se në një të ardhme të afërt Kosova do jetë pjesë e kësaj aleance, përkundër faktit se të gjitha përgatitjet po bëhen, që këtë të fundit, (pra Evropën) ta kemi këtu në mesin tonë.
Si do që të jetë, mendoj se pas turbullirave që gjithsesi pritet të ndodhin në ditët në vijim, atëherë kur edhe besohet se do të ndodhin ngjarje me rëndësi për Kosovën, politika vendëse do ballafaqohet me një numër të madh problemesh të cilat do të dalin në horizont pas pavarësisë së vendit, sfida që gjithsesi ka vite që preokupojnë njeriun tonë. Para së gjithash, mendoj se kësaj radhe qytetarët e Kosovës do të tregojnë pjekuri politike e qytetare, dhe kurrsesi nuk do të bien pre e provokimeve të mundshme, ngase pranverat shpeshherë kanë ditur të jenë të përgjakura në këto anë.
Këto provokime që zihen në kazanin e kuzhinës serbe, u serviren njerëzve të pavetëdijshëm të cilët shpesh duke dashur t’i sjellin të mira vendit të tyre, e kanë bërë të kundërtën. Më së miri për këtë, flet marsi i 2004-tës, kur toka e Kosovës përpiu gjakun e shumë të rinjve të pafajshëm shqiptarë.
Kosova shumë shpejt do të bëhet e pavarur, dhe kur të realizohet ky synim shekullor, duhet t’i kthehemi vetvetes dhe të dëshmojmë se shqiptarët mund ta bëjnë dhe mbajnë shtetin e tyre.
Atëherë kur do jemi çliruar nga ankthi i pritjes së pavarësisë së vendit, me siguri para nesh do shfaqen probleme të cilat, për nga rëndësia nuk qëndrojnë larg dëshirës që të jemi të pavarur. Përderisa çështja e pavarësisë së vendit është preokupim nacional, pavarësia në planin ekonomik është preokupim imediat për qytetarin e vendit.
Jemi dëshmitarë të asaj se qeveria e re e Kosovës ka marrë disa hapa që gjithsesi duhet vlerësuar për nga rëndësia, (se a do të respektohen këto vendime të qeverisë së Kosovës, pritet të shihet në ditët në vijim), por doemos se edhe një numër i konsiderueshëm çështjesh më rëndësi për qytetarin e vendit duhet të futen në agjendën e qeverisë së Kosovës, në mënyrë që sadopak të flasim për një qeverisje të suksesshme të vendit.
Mendoj se kryeministri i Kosovës duhet të ketë qasje në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore, dhe të jetë drejtpërdrejt i njoftuar me punën e njerëzve të cilët përfaqësojnë sidomos institucionet publike të Kosovës, ngase parregullsi të mëdha në shumë prej institucioneve të vendit janë evidente.
Pra qeveria, Kosova dhe populli i saj duhet të jenë të përgatitur për çdo situatë të mundshme, në mënyrë që këto rrethana të cilat pritet të krijohen këto ditë e të cilat mbase edhe do të krijojnë gjendje destabilizimi, të tejkalohen me lehtësi.
Pas pavarësisë së Kosovës, atëherë kur edhe pritet që Serbia t’i vë embargo vendit tonë, qeveria e Kosovës duhet të parapërgatitë planin se në cilën mënyrë do të veprojë karshi kësaj sfide që gjithsesi do t’i shkaktojë telashe vendit tonë, ngase dihet se mbi 50% e produkteve, pa marrë parasysh natyrën e tyre, mbajnë firmën made in Serbia. Mbase për këtë problematikë më me kompetencë do të flisnin ekonomistët, por ky fakt është i ditur edhe për qytetarët e rëndomtë, dhe deri më sot politika vendëse ende nuk ka marrë asnjë hap konkret për rregullimin e kësaj problematike, që gjithsesi ka ndihmuar në ngritjen e buxhetit të një shteti gjenocidal siç edhe është Serbia.
Këto e rrethana të ngjashme disfavorizuese që mbase do t’i bartë mbi kurriz qytetari i Kosovës, megjithatë janë të vogla në krahasim me peshën e madhe që ngërthen në vete, shkëputja njëherë e përgjithmonë e vendit tonë nga një shtet me synime fashiste, i cili për dy dekada me radhë ishte tmerri i Gadishullit Ballkanik, i cili për dy dekada me radhë nuk është ngopur me gjakun e mijëra të pafajshmëve që pësuan në hapësirën e ish-Jugosllavisë, që më shumë se gjithçka tjetër, koha e dëshmoi se krijimi i një federate të tillë ishte një lajthitje, apo një skenar ogurzi për këtë pjesë të Evropës e të botës.
Përfundimisht, kur jemi te data e shpalljes së pavarësisë, mendoj se duhet të jetë data 5 e muajit mars, ngase pikërisht në këtë datë vihen themelet e pavarësisë së Kosovës, ngase më 5 mars 1998 flijohet familja Jashari, për një ideal, që si duket do të jetësohet së shpejti