AlbaRadio.ch
Würden Sie gerne auf diese Nachricht reagieren? Erstellen Sie einen Account in wenigen Klicks oder loggen Sie sich ein, um fortzufahren.
AlbaRadio.ch

AlbaRadio.ch Official Forum..
 
StartseiteStartseite  SuchenSuchen  Neueste BilderNeueste Bilder  AnmeldenAnmelden  LoginLogin  

 

 Fjala e presidentit Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës

Nach unten 
AutorNachricht
Mr_Montana

Mr_Montana


Anzahl der Beiträge : 233
Anmeldedatum : 03.02.08

Fjala e presidentit Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës Empty
BeitragThema: Fjala e presidentit Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës   Fjala e presidentit Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës Icon_minitimeMo 11 Feb 2008, 21:37

I nderuar zoti Kryetar,
I nderuar Zoti Kryeadministrator i Kosovës,
I nderuar Zoti President i Kosovës,
I nderuar Zoti Kryeministër i Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të prezencës ndërkombëtare,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe Zotërinj,

Jam shumë i lumtur që sot ndodhem në Kosovë, jam shumë i nderuar që në këto momente të rëndësishme e historike për Kosovën dhe popullin e saj, unë, ju drejtohem nga kjo foltore e nderuar. Ju përcjell, në emër të qytetarëve të Shqipërisë, përshëndetjet më të përzemërta juve dhe gjithë popullit te Kosovës, duke ju siguruar mbështetjen e pakursyer.

Ndihem i privilegjuar që vij në Kosovë vetëm pak ditë nga përfundimi me sukses i zgjedhjeve të 17 nëntorit, të vlerësuara e certifikuara nga faktori ndërkombëtar, si dhe nga formimi i institucioneve te saj demokratike.

Gjej rastin të përshëndes Kryeadministratorin Ryker dhe rolin e UNMIK-ut për përgatitjen dhe zhvillimin e të gjithë procesit zgjedhor si dhe atë të forcave të KFOR-it për sigurinë dhe mbarëvajtjen e tyre.

Dëshiroj të rikonfirmoj mbështetjen time për Presidentin e Kosovës, Parlamentin e ri, Kryeministrin dhe Kabinetin qeveritar gjithëpërfshirës, dhe, njëherësh, të shpreh angazhimin tonë maksimal për një bashkëpunim të ngushtë e të frytshëm me to.

Përfundimi me sukses i procesit zgjedhor dhe i formimit të institucioneve të reja përfaqësuese është shembulli më i prekshëm i progresit që ka bërë Kosova deri më sot. Gjej rastin të përgëzoj edhe një herë qytetarët e Kosovës, t’ju përgëzoj juve dhe gjithë faktorin politik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare për zhvillimin e këtyre proceseve në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht.

Njëkohësisht, vlerësoj se zhvillimi me qetësi, maturi dhe në unitet të plotë i këtij procesi dëshmoi se ecuria e proceseve demokratike në Kosovë është e pakthyeshme, se arritjet e deritanishme janë të konsoliduar, dhe se Kosova ka kapacitetet e duhura shtetformuese. Ajo është e gatshme të ndërmarrë hapin e nevojshëm dhe vendimtar, në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar, për shpalljen e pavarësisë së saj, dhe krijimin e kushteve të duhura që shteti i ri i Kosovës të bëhet pjesë e familjes së madhe të kombeve.

Është pikërisht fryma e integrimit dhe e bashkëjetesës paqësore që duhet të rrezatojë ky Kuvend dhe veprimtaria juaj, si përfaqësues të të gjithë popullsisë që jeton në Kosovë. Ky forum duhet të shndërrohet në laborator ligjesh për të vënë në jetë parimet themelore të Planit Ahtisaari, të cilat garantojnë plotësisht dhe në mënyrë të paprecedentë të drejtat e komuniteteve pakicë.

Unë e kuptoj se integrimi i të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë kosovare dhe në jetën politike është një sfidë e vështirë e cila duhet të përballohet me sukses. Unë vlerësoj dhe mbështes angazhimin dhe përkushtimin e lidershipit të Kosovës për përmirësimin real dhe konkret të jetës së përditshme të minoriteteve.

Por ndërtimi i një shteti ligjor dhe i një shoqërie multietnike kërkon kontributin e të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë kuadër, prania e deputetëve të pakicave kombëtare në Kuvend, si shenjë e angazhimit të tyre në këtë drejtim, më bën optimist. Ky është modeli demokratik i përfaqësimit të qytetareve të lirë në një shoqëri të barabartë dhe multietnike, e ardhmja e të cilëve është dhe do të jetë në Kosovë.

Zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,

Kosova ndodhet në çastin më të rëndësishëm të historisë së saj. Koha për marrjen e përgjegjesive dhe vendimeve të rëndësishme ka ardhur dhe të gjithë duhet të provojnë se janë të aftë për një fillim të ri: Ndërtimin e një shteti evropian brenda kufijve të Evropës moderne. Përmbushja me dinjitet e misionit tuaj të lartë mbetet realizimi i aspiratës shekullore të qytetarëve të Kosovës për shtetin e pavarur, demokratik, plotësisht funksionues dhe të integruar në strukturat europiane dhe euroatlantike.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se më në fund, pas shumë përpjekjesh, vuajtjesh, lotësh dhe gjaku të derdhur, procesi i zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës ka mbërritur në stacionin e tij të fundit.

Të gjithë ne kthejmë me mirënjohje dhe respekt mendimin tonë drejt ikonës së rezistencës, të mbijetesës, të vuajtjes por edhe të shpresës së popullit të Kosovës. Urtësia, mirënjohja njerëzore, shpirti i tij i paqes, durimi, por dhe besimi tek e drejta e udhëheqësit Ibrahim Rugova, mbeten parime dhe vizione projektuese për të ardhmen e vendit tuaj.

Në këtë rrugë të gjatë e të mundimshme, Shqipëria ka qenë faktor i rëndësishëm, aktiv dhe konstruktiv, kështu do të jetë në vazhdimësi, kështu do të jetë dhe në fazën përmbyllëse, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, i tillë do të mbetet edhe në të ardhmen.

Dëshiroj të vlerësoj, me këtë rast, edhe të gjithë faktorin shqiptar i cili, njëzëri, kudo ku ai jeton në vendet e rajonit, u bë pjesë dinamike, shumë e përgjegjshme, moderuese dhe demokratike, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në procesin e vështirë jo vetëm të përcaktimit të statusit të Kosovës por edhe në proceset e rëndësishme euroatlantike të rajonit tonë. Kam të gjithë garancinë, se ky qëndrim, do të jetë i palëkundur edhe në këto momente si i vetmi që ndihmon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të rajonit tonë.

Më lejoni, zotërinj deputetë, të theksoj se qëndrimi i Shqipërisë është i qartë dhe i palëkundur. Ne gjykojmë, se tashmë potenciali i negociatave mes palëve është ezauruar tërësisht, dhe se ka një rezultat të mirë dhe gjerësisht i pranuar: ai është Plani Ahtisaari. Në të tilla kushte, çdo zgjatje është e panevojshme dhe nuk i shërben aspak të ardhmes së rajonit tonë. Përkundrazi, shtyrje të mëtejshme rrezikojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, duke vënë në pikëpyetje arritjet e këtyre viteve, si dhe vetë procesin e integrimit euroatlantik.

Shqipëria është e bindur se vetëm një Kosovë e pavarur, demokratike, brenda kufijve të tanishëm, dhe e orientuar nga Brukseli, është parakusht për t’u shkëputur përfundimisht nga e kaluara e hidhur e rajonit. Ne jemi të bindur që një zgjidhje e tillë do t’i hapë rrugën ndërtimit të një Ballkani të ri, dhe do të jetë burim paqeje, stabiliteti, prosperiteti dhe mirëkuptimi mes popujve, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare. Është pikërisht kjo frymë tolerance, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi që duhet të udhëheqë angazhimin e vendeve të rajonit në të ardhmen, për të ardhmen tonë të përbashkët.

Procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës është pjesë e rëndësishme e kalendarit politik e diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Është një proces i ndërtuar me shumë vendosmëri, përgjegjshmëri, besueshmëri. Të gjitha kancelaritë botërore, të cilat, me vullnetin e tyre të mirë mbështetën këtë çështje të drejtë, kërkojnë domosdoshmërisht që vendimi për pavarësinë e Kosovës të merret në koordinim të ngushtë me to. Kjo frymë besimi reciprok do të jetë një bazë e qëndrueshme dhe e sigurt për një partneritet të ardhshëm të Kosovës me vendet euroatlantike dhe më gjerë. Vetëm në këtë mënyrë, mbyllet një herë e përgjithmonë hallka e fundit e zinxhirit të konflikteve që ka përjetuar rajoni ynë këto 18 vitet e fundit.

Të nderuar deputetë,
Zonja dhe Zotërinj,

Gjatë kësaj vizite po konstatoj që në orët e para me kënaqësi progresin e dukshëm që ka bërë shoqëria dhe institucionet kosovare, në drejtim të një të ardhmeje më të mirë dhe evropiane. Ju përgëzoj për rezultatet mbresëlënëse në ruajtjen e stabilitetit, rendit dhe në realizimin progresiv të standardeve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar, në funksion të shtetit ligjor dhe një shoqërie multietnike.

Në këtë drejtim, Shqipëria vlerëson maksimalisht arritjet pozitive në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes së komunitetit serb. Ndajmë të njëjtin shqetësim për deklaratat e herëpashershme nga qarqe të caktuara që rrezikojnë të krijojnë një klimë të frikës dhe pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, veçanërisht tek ata të komuniteteve pakicë.

Këto arritje optimiste janë rezultat i dëshirës dhe impenjimit tuaj të përbashkët për të ndërtuar institucione gjithëpërfshirëse e funksionuese, bazuar në vlerat perëndimore, që garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të individit dhe të pakicave.

Njëkohësisht, gjej rastin të shpreh mirënjohjen për rolin dhe ndihmën që faktori ndërkombëtar, në veçanti UNMIK-u dhe NATO, kanë pasur në rezultatet dhe progresin tuaj. Pa mbështetjen, profesionalizmin dhe dedikimin e tyre, vështirë se do korreshin rezultate kaq të dukshme dhe shpresëdhënëse për të ardhmen e Kosovës. Është pikërisht kjo trashëgimi pozitive që do t’i lehtësojë punën Misionit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, që pritet të vendoset në Kosovë së shpejti. Në vlerësojmë rëndësinë e pranisë ndërkombëtare edhe pas zgjidhje së statusit të Kosovës, si një shtyllë që do garantojë sigurinë dhe zhvillimin e shoqërisë evropiane të Kosovës.

I nderuar z. Kryetar,
Zonja dhe Zotërinj,

Dëshiroj të nënvizoj se Shqipëria dhe Kosova mund të japin shembullin e bashkëpunimit të shkëlqyer në rajonin tonë. E ardhmja e tyre dhe e rajonit është integrimi i plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Shqipëria ofron të gjithë përvojën e saj integruese dhe kapacitetet e saj të specializuara për të shpejtuar integrimin euroatlantik të Kosovës. Unë mendoj se Evropa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë deri sa jashtë saj të jetë rajoni ynë.

Republika e Shqipërisë ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë edhe në të ardhmen përfshirjen dhe përfaqësimin tuaj në të gjitha nismat shumëpalëshe, në rritjen e shkëmbimeve politike dhe në zgjerimin e bashkëpunimit tuaj me vendet e rajonit, të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Interesat e përbashkëta në shumë fusha domosdoshmërisht kërkojnë angazhim dypalësh akoma edhe më serioz në të ardhmen. Nëpërmjet porteve të Shqipërisë Kosova do t’i afrohet Bashkimit Evropian. Përfundimi i aksit rrugor Durrës-Morinë do i shërbejë pikërisht interesave të integrimit rajonal dhe rritjes së shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes vendeve tona. Bashkëpunimi dypalësh ka nevojë për rritje të intensitetit në rrafshin e shkëmbimeve tregtare, turistike, investimeve, krijimin e një rrjeti unik të energjetikës, si dhe zhvillimin e lidhjeve arsimore, shkencore apo kulturore.

Të nderuar deputetë,

Në përfundim, më lejoni t’ju siguroj edhe njëherë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për proceset që tashmë kanë marrë udhë në Kosovë, me qëllim ndërtimin e një shteti të lirë, të pavarur, demokratik e multietnik që garanton dhe respekton të drejtat e njeriut dhe të pakicave: një shteti të ri të orientuar drejt integrimit rajonal dhe euro-atlantik.

Faleminderit
Nach oben Nach unten
 
Fjala e presidentit Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës
Nach oben 
Seite 1 von 1
 Ähnliche Themen
-
» Fjala e presidentit Sejdiu në shënimin e dyvjetorit të vdekjes së presidentit Rugova
» Shpallja e pavarësisë së Kosovës - në mes të shkurtit apo më 11 mars?
» Fjala e kryeministrit Thaçi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
» Finalizohet Kushtetuta e Kosovës
» Maqedonia rrezikon nga ndarja e Kosovës

Befugnisse in diesem ForumSie können in diesem Forum nicht antworten
AlbaRadio.ch :: Politik-
Gehe zu: