Ministrja e Jashtme e Greqisë Dora Bakoyannis tha të mërkurën në Washington se Bashkimi Evropian është i ndarë në qëndrimin për njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës.
Bakoyannis e bëri të qartë se Greqia nuk ka ndonjë nxitim të madh për të njohur pavarësinë e Kosovës që pritet të shpallet deri në fund të këtij muaji. Duke folur në Qendrën e Washingtonit për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ajo theksoi rëndësinë e arritjes së një qëndrimi të përbashkët të 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Sipas planit për pavarësi të mbikëqyrur, Bashkimi Evropian do të marrë shumë nga funksionet e Kombeve të Bashkuara që administron aktualisht Kosovën.
Bakoyannis tha se në takimin e së hënës të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, Kosova do të jetë një nga çështjet kryesore.
“Bashkimi Evropian ka nevojë ta diskutojë shumë më tepër këtë çështje, nëse do të arrijë një qëndrim të përbashkët. Dhe një qëndrim i tillë është i nevojshëm për Kosovën, shumë më tepër sesa për vende të tjera”. /VoA