Në takimin më të rëndësishëm të telefonisë mobile, Mobile World Congress 2008, të pranishmëve u është drejtuar edhe Viviane Reding, përgjegjëse evropiane për telekomunikim, cila në mes të tjerash ka deklaruar se çmimi i dërgimit të porosive tekstuale jashtë kufijve të BE-së do të duhej të ishte jo shumë më i shtrenjtë se çmimi i porosive SMS në vendet amë.
“Dua të shoh fundin e kufijve artistikë në mes të shteteve anëtarë të BE-së në fushën e telekomunikacionit, të cilat u pamundësojnë, si shfrytëzuesve privatë ashtu edhe atyre afaristë, të përdorin tregun unik të cilin po e krijojmë brenda 27 shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë Reding në takimin që është mbajtur këto ditë në Barcelonë.
Në të njëjtën kohë Reding ka tërhequr vërejtjen se në rast se operatorët telefonik nuk e dëgjojnë këshillën e saj deri më 1 korrik të këtij viti, nuk do t’i mbetet gjë tjetër pos t’i detyrojë ata për këtë gjë, me anë të rregulloreve ligjore.
Sa për rikujtim, Viviane Reding vitin e kaluar ka arritur të “shtyjë” operatorët e telekomunikacionit në BE të ulin çmimet e roaming-ut me zë, për rreth 70 për qind, derisa tani ua ka vënë syrin edhe bartjeve tjera të të dhënave në mes operatorëve të telekomunikacionit të cilët janë brenda shteteve të BE-së