Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana, ka deklaruar pas Konferencës ndërkombëtare për sigurinë në Munih të Gjermanisë se, së shpejti do të merret vendimi për planin operativ të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.
I pyetur nëse Brukseli do të vazhdojë me përgatitjet për dërgimin e misionit, Solana ka thënë se Misioni i BE-së është përgatitur në detaje dhe mirë i analizuar.
“BE-ja tashmë e ka miratuar planin e këtij misioni dhe sigurisht që së shpejti do të duhet të marrim vendimin për ta përmbyllur planin operativ, në rast se duhet ta zbatojmë atë. Kjo do të bëhet, por nuk dua të flasë për data. Rreth kësaj jemi duke biseduar me shtetet tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Solana për B92.
Ndërkaq duke komentuar rreth datës 17 shkurt, që është paralajmëruar si datë e mundshme e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Solana ka thënë: “Nuk pres të ndodhë ndonjë gjë më 17. Nuk e di çfarë është kjo datë”.
Solana po ashtu ka potencuar faktin se Rusia nuk është treguar konstruktive në përpjekjet për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën. Gjithashtu ai hodhi poshtë shqetësimet e shprehura nga zëvendëskryeministri i parë i Rusisë, Sergei Ivanov, se rajone të tjera separatiste në botë do të ndiqnin shembullin e Kosovës nëse ajo shpall pavarësinë.