Subjektet politike në Kosovë fillojnë zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet qëndrore dhe ato komunale që mbahen më 17 nëntor.
Shumica e forcave politike që garojnë në këto zgjedhje në programet e tyre kanë prioritet pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.
Ndonëse për herë të parë në Kosovë do të mbahen dy palë zgjedhje në të njejtën ditë, fushata zgjedhore do të jetë më e shkurtër.
Forcat kryesore politike dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, janë pajtuar që fushata për zgjedhjet e 17 nëntorit të zgjasë vetëm tre javë.
Kjo për shkak të shmangies të tensioneve të mundshme politike gjatë aktiviteteve parazgjedhore, të cilat mbahen paralelisht me negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Pak ditë më parë më nismën e presidentit Fatmir Sejdiu subjektet politike kanë nënshkruar një deklaratë me të cilën janë zotuar për zhvillimin e një fushate korrekte dhe dinjitoze.
Forcat politike hyjnë në garë për të marrë pushtetin qëndor dhe atë lokal me programet e tyre që përqëndrohen në radhë të parë te pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi ekonomik, por nuk mungojnë as programet për qeverisjen e mirë, arsimin, shëndetësinë e mirëqenien sociale.
Ndonëse fushata zgjedhore zyrtarisht filloi të enjten shumica e subjekteve politike i kanë nisur aktivitetet e tyre disa ditë më parë.
Posterë e materiale të tjera propagandistike me përmbajtje partiake kanë mbuluar vendin ditëve të fundit, ndërsa disa parti politike tashmë kanë mbajtur edhe takimet e para me elektoratin e tyre.
Në zgjedhjet e 17 nëntorit do të garojnë 97 subjekte politike të të gjitha komuniteteve.
Të drejtën për të votuar do ta kenë rreth 1 milion e gjysmë qytetarë të Kosovës.