Bashkimi Evropian ka miratuar kuadrin ligjor dhe financiar të misionit të ardhshëm në Kosovë, pas vendimit politik që u mor nga udhëheqësit evropianë dhjetorin e shkuar.
Presidenca sllovene e BE-së i konfirmoi korrespondentes së BBC-së në Bruksel se ky plan i përbashkët veprimi bazohet në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, që i referohet pranisë ndërkombëtare të sigurisë.
Faza përfundimtare e procesit do të jetë vendimi për dislokimin e misionit, që pritet të merret gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së më 18 shkurt.
Afati për miratimin e misionit ishte më 4 shkurt me qëllim për të mos ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale serbe.
Qiproja dhe Rumania ishin midis disa vendeve që kishin këmbëngulur se ky vendim duhej marrë pas zgjedhjeve serbe dhe para se Kosova të shpallë pavarësinë, sepse përndryshe kjo do të kishte shkaktuar probleme me bazën ligjore të misionit.
Nga ajo datë Bashkimi Evropian ka 120 ditë kohë për të dislokuar 1800 zyrtarë policie dhe ekspertë ligjorë që do të marrin mandatin e pranisë ndërkombëtare nga misioni i OKB-së, UNMIK.
Sipas vendimit - që u mbështet nga të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros që përdori mekanizmin e ashtuquajtur "abstenim konstruktiv" - kostoja e misionit do të jetë 205 milion euro për 16 muajt e parë.
Mandati i misionit është për 28 muaj, por kjo, thonë diplomatët evropianë, nuk është domsdoshmërisht kohëzgjatja e misionit.
BE-ja ka rënë gjithashtu dakort që të caktojë diplomatin holandez Peter Feith si përfaqësues të posaçëm të BE-së në Kosovë.