Misioni i BE-së para shpalljes së pavarësisë
Bashkimi Evropian është i gatshëm që këtë javë të kompletojë autorizimin e misionit të madh mbikëqyrës në Kosovë, pak para se ky vend të shpallë pavarësinë nga Serbia, kanë deklaruar zyrtarët e BE-së për agjencinë Reuters.
Sipas këtyre zyrtarëve, blloku i 27 shteteve do të përdorë procedurën e profilit të ulët për miratimin e planit operativ për misionin e fuqishëm të policisë dhe gjyqësisë – që është dokumenti i fundit nga katër sish që kërkohen për vendosjen e misionit.
"Plani operativ do të adoptohet gjatë kësaj jave me procedurë të shkruar”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së për këtë agjenci.
Sipas këtij zyrtari, vendimi nuk kishte nevojë të shkonte në duart e ministrave pasi që liderët e bllokut, në dhjetor të viti të kaluar, në parim kishin vendosur për dërgimin e misionit për ta zëvendësuar administratën e KB-së në Kosovë.
Ministrat e BE-së pritet që ta miratojnë një deklaratë të përgjithshme për Kosovën, të hënën e ardhshme, gjatë takimit të tyre të radhës, ku do të potencohet pavarësia e Kosovës dhe ku do të bëhet thirrje për stabilitet. Po ashtu ministrat do t’ua lënë secilit shtet të BE-së të vendosë individualisht për njohjen e pavarësisë së Kosovës, bën të ditur agjencia Reuters.