Kryeministri i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes veprimeve të tij na tregon që ende nuk është i gatshëm për qeveri/qeverisje, pra, pushtet. Përmes veprimeve të tij, ai më shumë na tregon që vazhdon të mendoj dhe të veproj si opozitë.
Për të qeverisur me një vend si Kosova, të zhytur në kaosin e korrupsionit, pushtetarët nuk kanë kohë për vizita, as në Mitrovicë as në Prekaz e as në Graçanicë ose gjetiu. Kosova ka nevojë për njerëz, pra, për pushtetarë që në momentin kur zgjohen nga gjumi i përvjelin mëngët për t’i futur duart në punë. Andaj, vizitat nëpër Kosovë të pushtetarëve të ri/aktual më shumë i ngjajnë një fushate mediale-qeverisëse sesa punës reale. Vizita nuk është punë sidomos jo në Kosovë. Në kuadrin Kosovar, është qind për qind e sigurt që kryeministri i Kosovës, hiç pa i vizituar fare, ua di hallin dhe shqetësimet e ndryshme dhe të shumta të banorëve të Kosovës: korrupsioni në çdo skutë, hapësirë dhe vend, pra, mungesa e shëndetësisë, shkollimit, ekonomisë, rryma, ajri dhe të gjitha të tjerat tok. Për reformimin e Kosovës, premtimet dhe deklaratat mediale-publike veç janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore dhe në kohën paraprake.
Shkurt, këshilltarët e qeverisjes janë këshilltarë, ata nuk bëjnë/kryejnë ose mbarojnë punë. E njëjta vlen edhe për ministrat, kudo që gjenden. Ky soj i njerëzve vetëm këshillon (këshilltarët) ose drejton diçka (ministrat) sipas udhëzimeve të udhëheqësit, pra, kryeministrit. Kosova ka nevojë për aksion, për veprim, për ndërmarrësi. Kryeministri i Kosovës do të duhej t’ia mbyllte dyert e kabinetit të tij mediave dhe në të njëjtën kohë të mos ekspozohej publikisht sepse do të duhej të ishte i zënë me punë, pra, pa kohë për t’u reklamuar sidomos kur kihet parasysh që tanimë nuk ka kujt t’i reklamohet. Qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar, më në fund. Ata nuk duan fjalë por vepra, ndërmarrësi. Kërkojnë shëndetësi të shëndetshme, shkollim të shëndetshëm, ekonomi të qëndrueshme, strehim, pension, ushqim dhe të tjerat të nevojshme për ecurinë normale të jetesës.