Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, tha të mërkurën se shpreson që Serbia ta pranojë zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit më të plotë me Evropën. Kosova pritet ta shpallë pavarësinë brenda disa ditësh.
Shtetet e Bashkuara pritet që së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës, sapo ajo të shpallet zyrtarisht. Rice e këshilloi Serbinë, e cila e kundërshton me forcë një gjë të tillë, që ta pranojë realitetin e krijuar dhe të shikojë përpara.
Duke folur të mërkurën para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, në një seancë ku paraqiti buxhetin e Shteteve të Bashkuara për marrëdhëniet me jashtë, Rice tha se Serbinë e pret integrimi më i plotë me Evropën, sapo çështja e Kosovës të jetë zgjidhur, një proces që ajo e pranoi se nuk do të jetë i lehtë për Beogradin.
“E di që kjo do të jetë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për popullin serb. Dhe Shtetet e Bashkuara do të shtrijnë dorën e miqësisë, duke thënë se statusi i Kosovës dhe zgjidhja e tij do t’i hapin rrugën Serbisë që të shohë përpara dhe të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm”, u shpreh ajo.
Administrata e presidentit Bush ka mbështetur planin e të dërguarit të OKB-së Martti Ahtisaari, për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën dhe kjo politikë gëzon përkrahje nga të dyja palët në Kongresin amerikan. /VoA/