Bota perëndimore është e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar Ilkka Kanerva, ministër i Jashtëm i Finlandës. Këto komente ai i bëri pas takimit me homologen amerikane, Condoleezza Rice.
Kanerva tha se me Ricen nuk është diskutuar data e shpalljes së pavarësisë. Duke folur për misionin e OSBE-së në Kosovën e pas statusit Kanerva tha se është optimist që kjo organizatë do vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë.
"Alternativa më e mirë është vazhdimi i misionit aktual. Alternativa e dytë më e mirë është të negociojmë për një mandat të ri të misionit. Dhe mundësia e tretë është që Bashkimi Evropian të marrë përsipër aktivitetet në Kosovë", tha Kanerva.
Rusia dhe Serbia kërcënojnë me veto për ndalimin e misionit të OSBE-së në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. /rel/