Teuta Selimi vjen me "Femër"
Ka tri vite që Teuta Selimi nuk ka nxjerrë në shitje ndonjë album të ri me këngë të saj. Kjo nuk ka qenë pauzë në karrierë për Teutën, sepse ajo gjatë kësaj kohe ka përpunuar disa këngë dhe potpuri, por që janë kënduar më herët edhe nga këngëtar të tjerë. Para pak ditësh është lansuar albumi i saj i dytë, i cili përmban gjithsej tetë këngë të reja.
“Këngët në këtë album janë të gjitha të reja, ka këngë edhe të zhanrit argëtues, por më shumë jam përqendruar te popullorja”, shprehet Teuta për “Infopress”.
Në realizimin e këtij albumi ajo ka bashkëpunuar me tekstshkrues dhe kompozitorë të ndryshëm. “Tekstet i ka shkruar Arsim Bunjaku dhe Avni Qaili, Virusi i ka kompozuar disa nga këngët dhe të tjerat Ardian dhe Artan Kastrati”, thotë ajo, duke shtuar se tematika e këngëve përgjithësisht ka të bëjë me dashurinë përveç njërës prej këngëve që i kushtohet kurbetit.
Dallimi i këtij albumi nga ai i pari është se në albumin e parë, thotë Teuta, ka eksperimentuar më shumë me zhanre të ndryshme, kurse këtë herë ajo është përcaktuar në muzikën popullore, dhe shumica e këngëve në këtë album janë ritmike.
Jam munduar prej shpirtit që këngët të jenë sa më të mira
Sa i përket realizimit të ndonjë videoklipi, Teuta thotë se kënga “Femër” ka qenë një lloj paralajmërimi për këtë album, gjithashtu ajo tregon se edhe këngës tjetër “S`mundem me u nda” i është realizuar video-klipi dhe ka filluar të transmetohet edhe nëpër televizione, por nuk është e sigurt nëse do të realizojë ndonjë klip tjetër.
“Ma merr mendja që mjaftojnë dy videoklipe për një album. Do të bëj një videoklip tjetër por nuk e di a do t`jetë nga ky album apo ndonjë këngë tjetër, por poqë se vendos, atë do ta realizoj në Kosovë, sepse tri videoklipet tjera i kam realizuar në Shkup dhe tash mendoj që këtu ka arritur niveli i profesionalizmit dhe s`do të ketë nevojë të shkoj në Shkup”, shprehet Teuta.
Ajo gjithashtu shpreson që ky album do të pritet mirë nga adhuruesit e saj. “Shpresoj që do të pritet mirë ky album, unë jam munduar prej shpirtit që këngët të jenë sa më të mira, mendoj që secili do ta gjejë veten në këtë album, unë nuk e bëj kurrë vlerësimin vetë, nuk përfundoj që ndonjë projekt i ri të dalë në shitje pa e dëgjuar dhe vlerësuar edhe njerëzit rreth meje dhe nëse atëherë të gjithë jemi dakord, vendosim ta lansojmë”, tregon ajo duke shtuar se i tërë projekti është realizuar nëpërmjet produksionit “Arboni”.