"Walking out on Love", filmi më i mirë i "Skena UP"
Filmi i regjisorit, Beau Yarrow, nga Instituti Amerikan i Filmit (SHBA) "Walking out on Love" është shpallur si filmi më i mirë në edicionin e 5-të të Festivalit ndërkombëtar të studentëve për film dhe teatër "Skena UP".
Ky festival, i cili nisi më 20 nëntor, mbrëmë ka mbyllur aktivitetet në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, me ndarjen e shtatë çmimeve. Juria e festivalit për film përbëhej nga: Arno Aschauer (Austria); G.J. Echternkamp (SHBA) dhe Nebi Qena (Kosovë).
Në kategorinë e filmit dokumentar, filmi më i mirë është zgjedhur “Brothers by blood” me regji të, Manara Nivron, nga Tel-Aviv University, Izrael; kurse filmi më i mirë i animuar “Lunar Eclipse” me regji të, Jens Blank, nga Camberwell College of Arts, Britania e Madhe.
Çmimi special i jurisë i është dhënë filmit “At the Lake” me regji të Amir Vitisë nga Fakulteti i Arteve, Kosovë.
Kurse, juria e teatrit e përbërë nga: Jerry Coyle (SHBA), Bajrush Mjaku (Maqedoni) dhe Jeta Xharra (Kosovë) ndau këto çmime: Shfaqja më e mirë „...të tjerat janë heshtje” me regji të Agon Myftarit nga Fakultetit i Arteve (Kosovë) ndërkaq, regjisori më i mirë i teatrit është shpallur, Payam Azizi, nga Azad University of Arak, Iran, aktori më i mirë i teatrit, Besnik Krapi, nga shfaqja „...të tjerat janë heshtje”, Fakulteti i Arteve, Kosovë.