Pasi që ditë më parë sollëm ekipin më të mirë, tash ju sjellim edhe 11-shen më të dobët të vitit 2007 në Serie A, të përzgjedhur nga disa kritikë të futbollit italian. Ndryshe nga 11-shja më e mirë, ku nuk përfshihej asnjë futbollist i Milanit, në këtë përzgjedhje ky klub udhëheq me tre lojtarë, i ndjekur nga Juventus me dy.
Portier: Nelson Dida (Milan) – Ka qenë një luftë e ashpër në mes portierit të Milanit, Dida, dhe atij të Lazios, Marco Ballota, për të zënë vendin e portierit më të dobët në Serie A. Megjithatë braziliani fiton këtë “nder”, pas një sërë gabimesh të pafalshme gjatë këtij sezoni. Aktrimi i tij në Celtic, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, ishte i turpshëm, derisa gabimi i fundit që i lejoi Esteban Cambiassos të shënonte golin e fitores në derbin milanez, vetëm sa e forcon Didan në vendin e parë
Mbrojtës i majtë: Massimo Oddo (Milan) – Mbase kjo zgjedhje ju duket paksa e ashpër, por e vërteta është se Oddo ka qenë një hije lojtari, i cili ishte aq mbresëlënës gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar. Mbrojtësi anësor, ka qenë fajtor në disa raste këtë sezon dhe thashethemet përsëriten vazhdimisht se Milan mund të kërkojë ndonjë zëvendësim për të. Oddo e ka humbur vendin e tij edhe në ekipin kombëtar italian, ndaj Christian Panuccit.
Mbrojtës i qendrës: Philippe Mexes (Roma) – Paraqitjet e mira gjatë javëve të fundit po thuajse e kanë lënë në hije fillimin e dobët të tij gjatë këtij sezoni. Megjithëse sipas shumicës, ai pritet të shndërrohet në një prej mbrojtësve më të mirë në Evropë, francezi, pa dyshim ishte i pari për tu fajësuar, para së gjithash për një sërë rastesh të pakëndshme, të cilat bënë që Roma të pranojë 16 gola në tetë ndeshje, në muajt tetor dhe nëntor.
Mbrojtës i majtë: Luciano Zauri (Lazio) – Kapiteni i ekipit supozohet të jetë dikush, në të cilin secili do të gjejë inspirim. Mbase kjo tregon edhe sezonin e dobët për Lazion. Zauri ka qenë tmerrues për ekipin romak dhe ka qenë përgjegjës për një mori golash të pranuar. Mbase ekipi ka nevojë për një drejtues tjetër që do të mbajë shiritin e kapitenit.
Mesfushor i qendrës: Sergio Almiron (Juventus) – I ardhur nga Empoli gjatë afatit kalimtar të verës për një shumë prej 9 milionë eurosh, Almiron u etiketua menjëherë si “Sebastian Veron i ri”. Sidoqoftë, ai ka bërë vetëm tetë paraqitje në ligë për Juventus dhe është po thuajse e sigurt se ai do të shitet ose në janar ose në qershor.
Mesfushor i qendrës: Tiago Mendes (Juventus) – Tiago ishte nënshkrimi shumë i kushtueshëm i Juventusit gjatë verës, që erdhi nga Lyon dhe i ishte besuar të tregonte fuqinë që kishte munguar në mesfushë që nga shitja e Patrick Vieiras dhe Emersonit. Tiago sigurisht se i përngjau Emersonit, por brazilianit të ditëve të sotme, që mjerisht nuk është gjë e mirë.
Mesfushor i djathtë: Bosko Jankoviq (Palermo) – Palermo mposhti ekipet si Barcelona dhe Chelsea, për të nënshkruar me Jankoviq nga Mallorca, gjatë afatit kalimtar të verës. Serbi, megjithëse u mendua se ishte një prej talenteve të ri të Evropës, dëshmoi të kundërtën dhe dështoi tërësisht të përshtatet në klubin sicilian. 23-vjeçari ka bërë vetëm 10 paraqitje dhe ka dështuar të justifikojë gjithë atë bujë të bërë për të.
Mesfushor i majtë: Domenico Morfeo (Parma) – Një mesfushor sulmues mjaft i talentuar, i cili kurrë nuk e kishte treguar potencialin e tij, qoftë për një apo arsye tjetër. Në një kohë mund të duket një lojtar i klasit botëror, dhe herën tjetër një lojtar i papërgjegjshëm. Kjo e fundit ka qenë rast i këtij sezoni. Ai pati një prishje para-sezonale me trajnerin e tij, derisa në mënyrë të trashë e dërgoi veten jashtë loje kundër Juventusit, vetëm disa sekonda pasi që hyri si zëvendësues.
Sulmues: Ronaldo (Milan) – Megjithëse ka shumë pak argumente për t’i përmendur gabimet e tij, duke marrë parasysh mungesën e aktivizimit, sidoqoftë e vërteta është se paaftësia e Ronaldos për të qëndruar në formë, i ka kushtuar shumë ekipit të tij. 31-vjeçari ka luajtur vetëm një herë gjithë sezonin dhe madje edhe u lëndua para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Benficas.
Sulmues: Marco Di Vaio (Genoa) – Në sezonin e parë të kalimit të Genoas në Serie A pas 12 viteve, Di Vaio u shpresua të tregonte një eksperiencë aq shumë të nevojshme dhe t’i japë një fuqi shpërthyese ekipit të tij. Por, fatkeqësisht ai nuk bëri asgjë dhe madje ka gjetur rrjetin vetëm një herë gjatë 12 ndeshjeve.
Sulmues: Adriano (Inter) – Ndoshta këtë pozitë do ta meritonte edhe sulmuesi i Milanit, Alberto Gilardino, por fakti që ai ka shënuar pesë herë në Serie A, e mbron nga turpërimi, megjithëse nuk ka bërë at që është pritur. Megjithëse Adriano kohëve të fundit u shoqërua me probleme personale, e vërteta është se ai ende mund të jetë një prej sulmuesve më të mirë në botë.
Formacioni: 3-4-3:
Dida
Oddo Mexes Zauri
Jankovic Tiago Almiron Morfeo
Ronaldo Adriano Di Vaio