Portieri i Romës, Alexander Doni, thotë se për ta fituar skudeton do të jetë shumë vështirë, por besoj se trofeu i Ligës së Kampionëve, nuk është një opsion që mund të përjashtohet.
Roma ka humbur vetëm dy ndeshje në gjithë sezonin e Serie A, por ende mbetet tetë pikë prapa liderit të tabelës, Interit.
“Ta fitojmë ligën vërtet do të jetë shumë e vështirë. Kemi pasur një kampionat shumë të mirë, por problemi është që Inter po ja del shkëlqyeshëm. Sidoqoftë, nuk do të dorëzohemi deri në fund të sezonit”, ka thënë portieri i Romës.
Java e ardhshme do të jetë vendimtare për Romën, pasi që së pari udhëtojnë tek Juventus gjatë të shtunës, para se të presin Real Madridin në kryeqytet për ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
“Në Ligën e Kampionëve do të përballemi kundër më të mirëve të Evropës, por të gjitha ekipet kanë shanse të arrijnë në finale, përfshirë edhe Romën. Nuk ka favoritë, të gjitha ekipet janë të forta”, ka theksuar Doni.